Poezi
Ajzberg
COPËZA JETE
Mes fletësh zverdhur nga koha
petale lulesh gjeta
me kohë harruar, nga unë
Tashmë pa formë, e pa aromë…
Dikur petalet vishnje
prekjen butësisht m’a përkëdhelnin
Në shkriftim kujtimesh
kthyer ato ndër vite
Grimca jete në mend’ më kthyen…
Duarve fletët kur mora
Dëborë kujtimesh filloi të bjerë
Aromën dehëse ç’ma kujtuan…
- NËSE…
Kaq papritur vendose të më “fshihesh”
Fytyrën tënde e kam kaq pranë
Boshllëkut ia le sytë e bukur
Të tjerat ….sa njësoj janë…
Ti mund t’më shohësh dhe pa më parë
Prekmi flokët e do të më njohësh
Kthehu për hatër të dashurisë!
Ti s’mund ta dish se sa jam vrarë.. ..
Unë jam këtu…pranë teje pres…
Mos ler asgjë, që ty të të marrë
Me pjesën tënde aq të mirë
Kërkomë e gjemë si më parë
Do rrish për mua …a më dëgjon?
Do lodhet koha, por aspak unë !
Jepu prapë dritë syve të bukur
- Edhe në ikën, unë s’të kam lënë….
- DIMËR…
Natyra e uli perden e dimrit
U thanë drurët nga er’ e ftohtë
Po japin shpirt pak nga pak ngjyrat
E rrallë, shihet ndonjë zog…
Do dashurohet prapë bora me drurët
Do dojë ajo butësisht t’i puthë
Heshturazi do bjerë, sic bien yjet
Stinëve të ikura, misteret do ja mbysë…
Po ulet pa zë edhe ky dimër
E duam atë: drurët edhe unë
Frymëmarrja e ngathët e tij kudo ndihet
As vetë s’e di pse e dua kaq shumë…
- DAJTI
Rrëzë Dajtit
shtrihet qyteti im
i qetë nga mali kur e sheh
Por kur humbesh brenda tij
Me sa shumë jetë!
Pushtetshëm mali
qytetit i qëndron,
Duke parë mëngjeseve
se si dielli
qytetin butësisht e prek
Shikimin e tij të gurtë
Dajti, përmes mjergullës
shpërndan
Pa i lejuar kohës,
Kujtimet të na i humbë!
- GJYSHES
Ke vite që ke ikur,
Vite që u largove pa u ndjerë
Ti ike siç edhe jetove
E urta gjyshe që qeshje rrallë…
Isha e vogël e s’e kuptoja
Sa shumë jeta ty të kishte lënduar
Por lotët shkarazi t’i kam parë
Ti kam parë lotët e s’të kam treguar ..
Emrat e brezave nga ty i njoha
Ti më lejoje që edhe të gaboja
Strehë nën përparësen tënde gjeja
E më pas, e çliruar vrapoja!
Ti dije afër t’më qëndroje
Më flisje, flokët duke m’i përkëdhelur
Qetësi pranë teje, sa qetësi gjyshe!
Rritesha sa herë të kam dëgjuar!
Ti portë e çelur e ngrohtësisë!
Ditët me ty iknin, pa kuptuar
Mall për përqafimin tënd të heshtur
Nën veshjen e zezë të pandryshuar
Unë atëhere nuk e dija!
Atëhere unë nuk e kuptoja
Sa fat të rriteshe pranë teje!
Ty që më lejoje edhe të gaboja!
Ke kohë qe prej nesh je larguar,
Ikjen tënde duke na e lënë pas
Me një tis dhembshurie mbështjellë
Siç gjyshet e lenë, kur ikin larg…..
- WHAT A WONDERFUL WORLD
Pa çanta plot shkëlqim e rrezëllim
Makina që frenojnë bujshëm, pa ato!
Me një apo dy cigare nën një bisedë
Pa perfeksion, bursë apo aksion!
Pa tëwtter e likes pa numërim
Pa moshë, mërzi, pa hezitime
Me hundë e flokë të pandryshuar
Veten pa e lënë t’më humbë!
Me shpirtin që mbetet po ai
Duke guxuar me mosguximin
Me moshën që vrapon të të mundë
Shpesh e kap veten jashtë mode!
Po jam e rrethuar me miq
Të paktit ata, por të vërtetë!
Që miqësinë ta falin heshtur
E të kërkojnë kudo në jetë!
Që aeroporteve të presin pa folur
Me ata që ti e ndien vetveten
Që të mungojnë kur ikin larg
Duke t’i lënë zemrës një peng…
Ndaj shpesh në mendje seç më vjen
Jo rrallë me vete fishkëllej
Tingujt e shpirtit tim të lirë
“Sa e bukur, e bukur” është kjo jetë!
- SYTË
Sytë,
të mrekullueshmit ata
që pa folur më ftojnë
Më shpojnë, ngrohin,
thërrasin
Sytë që meditojnë…
Të shkruar, të ftohtë, të paparë
Të gjelbërit sy,
ëndërrimtarë!
Të shtyjnë kur s’të duan
Deri në kockë të ftohin,
përplasin !
Hapësirave gri me forcë !
Sytë e tu,
thellësive blu ngjyrosur
Që mes mrekullisë ndrisin
Me lotin mes dashurive,
flirtojnë
që më rrëqethin
e të pathënën ma thonë
Marrëzinë, çmendurinë
Që për dashurinë
flasin
Shqetësimi i nënës
tek ata strukur
Portë e shpirtit ato
Nga ku bekimi i babait buron !
Qerpiku I tyre
portën mbrëmjeve
Për të mbajtur për vete
papërjashtim
të gjitha
të pathënat e ditës…
- LUMTURIA
E kërkova lumturinë,
jo pak vrapova për ta gjetur …,
Trokita, u enda, u lodha
e doja pa kushte, e doja për vete!
Me duar degët i shtyva
U çorra, mes tyre mos e gjeja
nuk ishte, ndaj fluturova
Mos qe arratisur mes reve …
Por rete nazike qeshën me mua,
Qeshën edhe nuk më folën
u cfromëzuan retë, u tretën
Zhgënjyer u ndjeva, u ndjeva e lodhur!
Ujrave blu mos qe përpirë?
U zhyta mes perlave ta gjeja
Qetësisë së thellësive atë kërkova
Thellësia më foli me heshtje!
Krahë-lëshuar bregut përfundova
E lodhur, edhe pa shpresë!
Një zë brenda qenies më foli
“ajo cka kërkove është pranë teje”
mes njerëzve kërkoje lumturinë!
ku dashuritë marrin kuptim
Kur dorën tëndë ia zgjat dikujt
Tek sytë e fëmijës që nga ty pret!
Ne pritje te librave te rinj...
Autorja Inis Jorgo vazhdon të krijojë e shpejt lexuesi do të ketë rreshta të tjera prej saj…
